Jamie Spears, babai i këngëtares Britney Spears ka paraqitur një kërkesë të papritur në Gjykatë, ku lutet që të shqyrtohet edhe njëherë kërkesa e vajzës së tij për heqjen e kujdestarisë.
Me këtë lëvizje që i ka habitur të gjithë, Jamie Spears, i cili është ruajtësi i pasurisë së vajzës së tij, shprehet se është e drejta e Britney-t që kjo Gjykatë tani të verifikojë seriozisht nëse kjo kujdestari nuk vlen më.
“Rrethanat e Britney Spears kanë ndryshuar në atë masë sa që mund të mos jetë as nevoja për një kujdestari të tillë”, shkruan ai, i cili shton se nuk është as i nevojshëm një vlerësim i ri psikologjik pasi edhe vetë këngëtarja refuzon ta bëjë.
Kujtojmë se 39-vjeçarja e famshme, është përpjekur prej kohësh që ta heqë babanë e saj nga kujdestaria dy herë gjatë vitit të fundit, duke thënë se ai po e kontrollon më shumë seç duhet e se ajo nuk e ka më të nevojshëm këtë kontroll 13-vjeçar.
Ajo pretendoi se kujdestaria e të atit ishte “abuzive” dhe se nuk i lejohej as të shikonte fëmijët e saj apo të lindte të tjerë pa lejen e babait.