Një kapitull i ri ka nisur tashmë për Kim Kardashian dhe Kanye West. E!Online shkruan se Kim Kardashian ka nënshkruar kërkesën për divorc nga Kanye West të premten, 19 Shkurt. Kim ka kërkuar kujdestari të përbashkët ligjore dhe fizike për fëmijët e tyre. Ky hap vjen pasi mediat ndërkombëtare kishin muaj që shkruanin se marrëdhënia e tyre kishte arritur “aty ku s’mbante më” pas muajsh problemesh.

“Ka arritur në pikën ku ata nuk kanë kaluar kohë së bashku si një çift i martuar për muaj të tërë,” shkruante pak javë më parë E!Online. “Ata e kanë parë njëri-tjetrin për hir të fëmijëve, por kanë jetuar veçmas. Kim e di që martesa ka mbaruar.”

Çifti konfirmoi marrëdhënien e tyre në prill 2012 dhe u martuan në maj 2014, nga e cila u bekuan me katër fëmijë së bashku, North, Saint, Chicago dhe Psalm. Kanë qenë pikërisht fëmijët ata që e kanë zgjatur kaq shumë këtë vendim të Kim, pasi po rishikonte mundësinë që ata ta shpëtonin marrëdhënien e tyre për hir të fëmijëve.

Deri vonë, pavarësisht krizës, çifti ka patur kontakte dhe ka bërë përpjekje për ta kaluar krizën. Mirëpo, në shkurt, Kim dhe Kanye ndërprenë çdo komunikim dhe takim.