Tifozët serbë vazhdoijnë me “bëmat” e tyre të pashqetësuar, duke mos zënë mend nga dënimet e panumërta që vijnë nga UEFA apo edhe gjobat që marrin skuadrat e tyre, të cilat nuk guxojnë që t’i ndalojnë ata. Ngjarja e radhës ishte në ndeshjen e mbrëmshme mes Crvena Zvezdës dhe Milanit në Ligën e Europës ku tifozët nuk u mjaftuan vetëm me hyrjen në stadium në një kohë kur shteti serb ia ndalonte një gjë të tillë.

Ata jo vetëm që nuk ngurruan që të mbështetnin skuadrën e tyre duke sfiduar rregullat, por edhe nuk ndalën ofendimet e rënda ndaj kundërshtarëve, sidomos kundër Ibrahimoviç. Në disa video që qarkullojnë në internet, dëgjohet një prej këtyre tifozve që ulëret fjalën “balija” ndaj sulmuesit që ulej në tribunë.

Kjo shprehje përdorej gjerësisht me karakter diskriminues ndaj myslimanëve boshnjakë gjatë viteve të luftës e ishte një fyerje e drejtuar me qëllim ndaj Ibrahimoviç i cili ka origjine boshnjake. Ngjarja ka bërë xhiron e mediave botërore që e kanë cilësuar të papranueshme, ashtu si edhe mungesën e plotë të reagimit nga forcat e sigurisë në stadium që nuk lëvizën tifozët që pushtuan tribunat.