Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qendër të Athinës këtë të premte, ku në kryqëzimin e rrugëve “Aristotelous” dhe “Marnis” një shtetas shqiptar vendosi të mos i bindej urdhërit të policisë për të ndaluar automjetin.

CNN-i grek shkruan se 35-vjeçari shqiptar që u përfshi në incident është emër i njohur për policinë greke.

Identiteti i tij nuk është bërë publik, por mediat duke iu referuar burimeve policore, shkruajnë se 35-vjeçari ka precedent të mëparshëm penal dhe është i skeduar. Ai ka qenë i hetuar më parë për trafik droge dhe vjedhje.

Mëngjesin e sotëm, shqiptari po udhëtonte me një makinë Peugeot të vjedhur. Patrulla e policisë, që kishte marrë njoftimin për një makinë të vjedhur, alarm i dhënë nga një grua, i bëri shenjë automjetit për të ndaluar.

Por drejtuesi, 35-vjeçari shqiptar, nuk iu bind urdhrit dhe përplasi me makinë motorin e policisë duke i shkaktuar lëndime njërit prej efektivëve.

Në këtë moment, një polic tjetër i patrullës qëlloi me armë në drejtim të shqiptarit duke e lënë të plagosur në këmbë. Ai është dërguar në spital për të marrë mjekim, si dhe është arrestuar.