Rasti i vdekjes së të burgosurit shqiptar në Greqi, Ilia Kareli, i cili ndërroi jetë pas torturave në Burgun e Nigritës në mars 2014, po rigjykohet tashmë në Gjykatën e Apelit në Selanik.

Në sallën e gjyqit janë ulur 13 ish-zyrtarë të burgut Nigrita, të cilët u dënuan në shkallën e parë me 5 deri në 7 vite burg, ndërsa njëri prej tyre u dënua me 3 vite burg me kusht. Të gjithë ish-zyrtarët e burgut ishin të lirë në pritje të gjykimit të Apelit, me kusht e vetëm nga organet ligjzbatuese që të mos largohen nga vendi.

Në fillimin e gjykimit të Apelit, të pandehurit mohuan akuzat kundër tyre, duke deklaruar pafajësinë. Procesi i verifikimit të provave filloi me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të prokurorisë.

Gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të akuzuarit fajtor për kryerjen e torturës, e cila shkaktoi dëmtime të rënda trupore për Ilia Karelin. Sipas vendimit të shkallës së parë, vdekja e të burgosurit 42-vjeçar shqiptar Ilia Kareli ndodhi pas një sulmi në zemër, pak përpara mbërritjes së tij në Burgun e Nigritës.