Ish zv/ministri Ahmet Ceni nuk ia ka dalë dot të fitojë betejën me virusin e rrezikshëm Covid-19, duke humbur jetën këtë të martë.

Lajmin e bën me dije deputetja e Partisë Socialiste, Edon Bilali, e cila i shpreh ngushëllimet të afërmve dhe familjarëve të profesorit,

Në një postim në “Facebook”, Bilali vë në dukje cilësitë e vyera që ai mbarte dhe këshillat e çmuara që i ka dhënë gjatë viteve të saj si studente.

“Covidi na mori edhe një tjetër . Sot u nda nga jeta Prof. Dr. Ahmet Ceni, një jetë në shërbim publik. U nda nga jeta një nga mentorët e mi. Ngushëllimet e para i shkojnë familjes dhe menjëherë mbrapa kolegëve, që sot u tronditëm dhe nuk e pranojmë dot që profesori nuk do të jetë më mes nesh.

Kur para 10 vitesh kalova asistente e tij në disiplinën e Burimeve Njerëzore në Fakultetin e Ekonomisë, e vetmja gjë që na lidhte ishte të qënurit nga Shkodra. Prof. Ahmetin studentët e konsideronin strikt por me zemrën e madhe. Për të gjithë ne që e kishim shef, ishte mësues i vlerave akademike dhe parimeve etike të një profesionisti të rrallë. Çdo bisedë me të ishte e shoqëruar me këshilla që veç një prind mund tja japë fëmijës. Vlerat e Prof. Ahmetit do mbeten gjithmonë me mua, ndershmëria, drejtësia dhe mirësia. Janë pikërisht njerëz si prof. Ahmeti, që më bëjnë të besoj se modele pozitive si ai përhapen si oksigjen tek njerëzit që ndërveprojnë me to. Do të jetosh në mendjen e zemrën time sa të jetoj.”,– shkruan Bilali.

Kujtojmë se Ahmet Ceni në vitin 1998 deri në vitin 2000 ka punuar si Zëvendës Ministër i Transportit dhe nga viti 2001 deri në vitin 2005 si zëvendës Ministër i Punës dhe i Çështjeve Sociale. Nga viti 2005 ishte profesor në departamentin e Menaxhimit.