Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka shpërndarë një video në rrjete sociale duke iu kundërpërgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili më herët publikoi pamje nga një autostradë në Spanjë që ishte bllokuar nga dëbora dhe ironizoi LSI-në.
Në videon e Kryemadhit shihet trafiku në autostradë, teksa temperaturat janë nën zero, ndërsa shkruan se Rama ka dështuar në çdo aspekt dhe se as batutat e tij nuk kanë më vlerë.
Postimi i plotë
Batutat e Ramës nuk kanë më asnjë vlerë përballë krizave që e kanë gjetur shtetin të paaftë për t’u përgjigjur ndaj tyre. Qytetarët e dinë mirë se vështirësitë që ata përballen janë pasojë e paaftësisë së tij, premtimeve të pambajtura prej tij, mungesës së seriozitetit nga ana e tij.
Papunësia, pandemia, tërmetet, përmbytjet e shiut dhe ‘ngrirja’ e vendit prej borës sot, nuk do të kishin pasoja kaq shkatërrimtare nëse papërgjegjshmëria e tij nuk do të ishte reflektuar në papërgjegjshmëri të qeverisjes.
Ktheju punës, mbaji premtimet, çoji paratë për emergjencën civile, mos paguaj oligarkët por mbështet financiarisht qytetarët dhe mos prit të të lexojë njeri fatin, sepse ja ke shkruajtur vetë vetes. Më 25 prill, Shqipëria shtëpia e shqiptarëve.





