Presidenti Ilir Meta ka takuar zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Republikës së Kosovës, Donika Gërvallën.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shkruan se e ka uruar ministren Gërvalla për detyrën e rëndësishme, që ushtron në qeverinë e Kosovës, në këto momente mjaft të rëndësishme për vendin e saj.

Presidenti Meta më tej i përgëzoi institucionet e Republikës së Kosovës për zhvillimin me korrektësi dhe në mënyrë demokratike të zgjedhjeve lokale, që u mbajtjen dje.

“Zhvillimi i zgjedhjeve lokale, nxjerrja si dhe pranimi i rezultateve paraprake nga të gjitha palët në proces është një shembull për të gjithë rajonin se si duhet të zhvillohen dhe administrohen zgjedhjet”, – theksoi Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit theksoi së Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht në lehtësimin e çdo pengese, që ekziston në zhvillimet në fushën politike, kulturore, ekonomike, tregtare dhe të gjitha sferat e tjera të jetës.

Gjithashtu, Presidenti Meta theksoi se të dyja vendet tona, së bashku duhet të punojnë edhe më ngushtësisht, për forcimin dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, si dhe për përshpejtimin e proceseve të integrimeve europiane.