Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi ka dhënë dorëheqjen nga posti drejtues këtë të hënë.
Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, Abazi shkruan se në datën 15 shtator ka paraqitur dorëheqjen e parevokueshme nga pozicioni i drejtorit ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes në Shqipëri për të mbajtur përgjegjësitë e tij për rezultatet në Shqipëri.
Kujtojmë se Boiken Abazi garoi si kandidat i pavarur në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri nën logon e Lëvizjes Vetëvendosje, por arriti të merrte vetëm një numër të vogël votash.
Postimi i Boiken Abazit.
Të dielen e kaluam bashkë me Albinin në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ndoqëm mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve lokale nëpër komunat e Kosovës dhe diskutuam gjatë: për të ardhmen e Kosovës e Shqipërisë, nevojën për reforma në institucione dhe ekonomi, progresin shoqëror e mbarëkombëtar që nuk përjashton asnjë qytetar, çështje të ndryshme organizative të Lëvizjes sonë, e deri te raportet gjeopolitike në botë.
Në datën 15 shtator unë kam paraqitur dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i drejtorit ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes në Shqipëri, gjë që e kisha diskutuar edhe pas zgjedhjeve në Bordin e Qendrës, për të mbajtur përgjegjësitë e mia për rezultatet në Shqipëri. Kam pritur ta bëj këtë gjë publike, për shkak të situatës në veri të Kosovës dhe raundit të parë të zgjedhjeve lokale. Për hapat e radhës në Shqipëri jemi duke i vazhduar diskutimet.
Ndërkohë në Kosovë, nga vendi i tretë në zgjedhjet lokale të vitit 2017, VETËVENDOSJE! tash është e para edhe me votën popullore nëpër komuna në nivel Kosove. Sfidat nuk janë të vogla para 12 balotazheve pas katër javësh, por jemi me shpresë e të angazhuar si rrallë herë më parë. E ardhmja është e Lëvizjes, e shqiptarëve.





