Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për mediat ditën e sotme nga selia blu, ku ka folur për tre hapat e radhës që synon të arrijë PD.
I pari amendament që përmendi Basha ishte zhbërja e ndryshimeve të njëanshme kushtetuese të zgjedhjeve të 30 qershorit, vettingun në politikë dhe një amendament për reformën territoriale.
Sipas Bashës, vettingu i politikanëve është i domosdoshëm për të ndarë politikën nga lidhjet me krimin e organizuar, dhe pasuritë e pajustifikueshme.
“Shqipëria e ka të domosdoshëm vettingun e politikanëve. Bazuar në këtë opinion që është i shkruar, në anglisht dhe shqip, ne kemi hartuar amendamentet” tha ai.
“Do të shikoni nga amendamentet se vettingu i politikanëve ka të bëjë me një dëshirë nga socialistë dhe demokratë që të kemi një politikë pa lidhje me krimin, dhe jo të mbushur me politikanë që nuk justifikojnë pasurinë e tyre. Me këtë hap ne i shërbejmë prioriteteve të shqiptareve. Asnjë prej tyre nuk është në favor të PD-së. Unë e përsëris që jemi në kuvend edhe pas masakrës që me fuqinë që na dhanë shqiptarët të rikthejmë vendin në shinat e demokracisë. Për këtë ne do të çojmë përpara axhendën e këtyre ndryshimeve. Kthimi i ndryshimeve të njëanshme të 30 korrikut sikundër komisioni zgjedhor që do të formohet ka për detyrë të shtrojë çështjet që kanë në bëjmë me sistemin zgjedhor. Nuk bëjmë pazar dhe nuk futemi për pazar. Këto janë cështje të rëndësishme për shqiptarët. Nuk ka zhvillim, ka vetëm emigracion kjo nuk mund të jetë pazar për ne”- tha Basha.





