Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka njoftuar se Partia Socialiste ka bojkotuar mbledhjen e Komisionit Hetimor, i ngritur për zgjedhjet e 25 prillit.
Përmes një postimi në “Facebook”, Bardhi shprehet se pavarësisht kësaj, nuk mund ta pengojnë opozitën në hetimin parlamentar të asaj që e cilëson si masakra zgjedhore.
“Bojkoti i Komisionit Hetimor për masakrën zgjedhore të 25 Prillit nga anëtarët e Partisë Socialiste është dëshmi e qartë e papërgjegjshmërisë së tyre në raport me interesin e qytetarëve. Edhe pse kërkuan vetë që mbledhja e Komisionit të vijonte në datën 20, sot zgjodhën bojkotin. Është e qartë që ato që vodhën zgjedhjet, përdorën krimin dhe paratë e korrupsionit për të blerë vota, që përdorën shtetin në zgjedhje, nuk kanë interes për të faktuar masakrën zgjedhore. Opozitën nuk e pengojnë dot në ushtrimin e të drejtave dhe përgjegjësive të saj për hetimin parlamentar të masakrës zgjedhore të 25 Prillit”, shkruan Gazment Bardhi.





