Në futboll, ashtu si në çdo aspekt tjetër të jetës, përveç talentit dhe dhuntive teknike, ka edhe një përqindje fati dhe rastësie që ndikon në sukses. Në fakt, një centimetër më përpara apo më pas dhe ndeshja ndryshon drastikisht.
Për këtë arsye janë të shumtë futbollistët që kërkojnë siguri në besëtytni dhe mes këtyre futbollistëve nuk bën përjashtim as Matajs de Ligt.
Mbrojtësi holandez i Juventusit mban veshur të njëjtat këpucë në fushë që prej prillit 2019 (kur luante ende për Ajaksin). Qendërmbrojtësi nuk i heq ato si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje, madje mban edhe të njëjtat geta.
Bëhet fjalë për këpucët e modelit Adidas X 18.1 “White&Solar Yellow”, me të cilët ai është shumë i afeksionuar. Në prill 2019, kur ky model doli në qarkullim, De Ligt ishte pjesë e Ajaksit dhe në atë kohë ishte kapiteni më i ri në historinë e “Harkëtarëve”, vetëm 19 vjeç, ndërsa përjetonte periudhën profesionale më të mirë të karrierës së tij të deritanishme.





