Zv.kryeministri, Arben Ahmetaj, gjatë fjalës së tij në ceremoninë së memorandumit të bashkëpunimit me Kombet e Bashkuara u ndal te dy krizat që goditën Shqipërinë, ajo e tërmetit dhe pandemia.

Ahmetaj tha se qeveria nuk i la pas ata që u godit nga tërmeti apo dhe pandemia e COVID-19.

Ai është përgjigjur akuzave të opozitës në lidhje me raportin e Bankës Botërore, ndërsa theksoi se populizmi injorant, kthehet në politikë trendi.

Ndër të tjera, Ahmetaj deklaroi se Shqipëria ka ulur varfërinë me një shpejtësi të madhe krahasuar me vendet e tjera.

Sipas tij brenda 10 vitesh, rinia shqiptare nuk do tentojë të ikë nga vend por do zhvillojë ambicien e saj në Shqipëri.

“Nuk lë pa përmendur, një falënderim të madh me kombet e bashkuara dhe vendet që na ndihmuan. Projekti për akademinë e kodimit nuk do kthejë Shqipërinë në vend digjital por do fusë ambicien që pas 10 vitesh të themi sot Shqipëria ka një rini që nuk tenton të ikë por të garojë me ambicien e vet brenda zhvillimeve të vendit. Të qenit anëtar i BE ngelet ambicia jonë kryesore. Shqipëria e ka ulur varfërinë në raport me vendet e tjera me një shpejtësi shumë më të madhe. Varfëria nuk ulet me fjalë të ngrohta. Të gjitha janë false nëse nuk mbështeten nga reforma intensive. Nuk rri pa përmendur reformën në drejtësi që ka futur elektricitet të rëndësishëm”, shtoi ai.