Deputeti i PD-së, njëkohësisht kryetar i Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për mediat tha se PS e ka braktisur këtë komision 3 herë.

Sipas kryetarit të Komisionit Hetimor, mazhoranca synon që të pengojë hetimin e zgjedhjeve të 25 Prillit.

Kanë bojkotuar 3 herë për të penguar punën e komisionit. Madje, Kuvendi ndërpreu edhe sinjalin televiziv, që ndërpritet vetëm kur përfundojnë punimet e komisionit”, u shpreh Alibeaj.

“Sot duhej hetuar veprimtaria e patronazhistëve, u paraqit panorama e plotë e punës së tyre, u paraqitën të dhënat lidhur me shpërdorimin e parasë publike. Por, kjo është mënyra se si pushteti kërkon të vendosë pengesa për funksionimin e çdo komisioni hetimor”, shtoi deputeti demokrat.

Lidhur me ndërprerjen e sinjalit nga administrata e Kuvendit, Alibeaj u shpreh se administrata është futur në mënyrë të paligjshme në mbledhje.

“Administrata e Kuvendit u fut në mënyrë kamikazë për të ndërprerë punën e komisionit.  Duan të minojmë procesin e hetimit, por nuk kanë për t’ia dalin, dëshmitarët dhe provat do të merren dhe do të thirren në bazë të ligjit. E drejta e çdo deputeti për te kërkuar prova dhe dëshmitarë miratohet pa votim, PS kërkon që këtë të bej më votim me shumicën e socialistëve”, tha Alibeaj.