Çështje kamerash. E para, ajo që kapi presidentin e Juventusit, Andrea Anjeli, t’i drejtohej me fyerje ish-trajnerit dhe mikut të tij në fund të ndeshjes. Dhe e dyta, ajo që kapi trajnerin e Interit, Antonio Konte, t’i drejtonte gishtin e mesit tribunës së ish-drejtuesve e miqve të tij.

Imazhi i parë u kap menjëherë nga transmetimi direkt i televizionit “RAI”, i cili ka të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të Kupës së Italisë, ndërsa e dyta doli mbrëmjen e së martës. Nga ku? Nga Juventusi, që gëzon të drejtën të prodhojë sinjalin e eventit. Pra, në këtë situatë skuadra pritëse ka imazhet dhe mund t’i përdorë ato nga pikëpamja komerciale dhe editoriale.

Dhe nëse çështja do të thellohet, Prokuroria Federale do të kërkonte përmbajtjen e pamjeve të vetë klubit. Aktorët e tjerë që do të mbahen në konsideratë janë “RAI”, transmetuesi dhe mbajtësi i së drejtës televizive dhe Liga e Futbollit, të cilëve u takon regjia e eventit.

E njëjta regji kapi kalimthi në fund fjalët e Anjelit, por prej kohësh linja e Ligës, mbi parashikimet e UEFA-s, është që të mos ndalet në çdo situatë të mundshme të papëlqyeshme.Edhe imazhi i gjestit të Kontes, i kapur nga një telekamera dedikuar atij, bën pjesë në përmbajtjen shtesë të ndeshjes, por gjatë transmetimit direkt, regjisori zgjodhi ta poziciononte një çast më përpara te Ronaldo.

Në çdo rast, askush nga “RAI” nuk mund të shikonte gishtin e mesit, ndërsa klubi bardhezi kishte të drejtën që të kthehej te burimi për të gjetur momentin inkriminues. E pamundur tashmë që të dish nëse ndonjë telekamerë ka kapur ndonjë nga drejtuesit bardhezinj duke fyer Konten, por e sigurt është se ato pamje nuk do të ishin transmetuar.

Tashmë totalin e asaj që është xhiruar e ka Juventusi, ndërsa televizioni kombëtar italian, “RAI”, që ka të drejtën për të arkivuar materialin në tërësinë e tij, posedon vetëm çfarë është transmetuar.