Drejtori sportiv i skuadrës së Bajernit, Hasan Salihamixhiç, ishte shumë i dëshpëruar pas humbjes 5-0 në Kupë ndaj Gladbahut. Boshnjaku e cilësoi këtë humbje si të turpshme dhe shokuese.“Jemi të shokuar! Nuk ishim në asnjë moment në ndeshje, nuk fituam asnjë dyluftim në pjesën e parë, një ‘blackout’”, tha Brazo i cili pohoi gjithashtu se i kishte paralajmëruar lojtarët para ndeshjes se nuk do të ishte një shëtitje në park:“Djemtë e dinin se sa e vështirë është të luash këtu, e diskutuam para ndeshjes. Këtë paraqitje e kam vështirë për ta përshkruar”. I pyetur nëse në këtë humbje të djeshme ndikoi mungesa e trajnerit Julian Nagelsman, Salihamixhiç iu përgjigj:
“Këto janë spekulime të kota, sigurisht që do të donim që trajneri të ishte aty, por kjo nuk ka të bëjë fare. Në minutën e 19-të kishim pësuar 3 gola, çfarë do të bënte Nagelsman këtu? Ishte një ndeshje e shëmtuar dhe kaq. Sigurisht që meritë ka edhe kundërshtari, të mos harrojmë që Gladbah na e bëri jetën të vështirë edhe në kampionat.Ata bënë gjithçka në mënyrë perfekte dhe sigurisht që edhe fati ishte me ta pasi shënuan sa herë shkuan në portë. Upamekano? Ne fitojmë të gjithë së bashku dhe humbasim po së bashku.
Upa do të ringrihet sërish me ndihmën tonë. Paraqitja e tij është e pashpjegueshme pasi në ndeshjen e fundit ka bërë paraqitje të mëdha si në Champions ashtu dhe në kampionat. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës për të harruar sa më parë këtë humbje, edhe pse do të mbetet gjithmonë në ndërgjegjen tonë”, tha drejtori sportiv i skuadrës bavareze pas humbjes së djeshme.





