Një 29-vjeçar është arrestuar nga policia në Mirditë, pasi u kap me drogë në makinë.
Mësohet se në pranga ka rënë shtetasi me iniciale M.P.
Nga kontrollet e policisë, është lokalizuar një makinë me drejtues shtetasin M.P. Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti dhe sekuestroi 2 kg dhe 100 gramë kanabisi.
Njoftimi i policisë:
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Sekuestrohen 2 kilogramë e 100 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, vihet në pranga poseduesi.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me automjet dhe posedonte lëndë narkotike, shërbimet e Policisë Mirditë kanë organizuar punën dhe në fshatin Ndërfane, Mirditë, kanë lokalizuar mjetin e dyshuar, me drejtues shtetasin M. P.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 2 kilogramë e 100 gramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, të cilën shtetasi M. P., në momentin që ka parë shërbimet e Policisë, e ka hedhur jashtë mjetit.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. P., 29 vjeç, banues në Shëngjergj, Mirditë.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.





