Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, nuk ka preferuar të komentojë sulmin e Lulzim Bashës ndaj treshes Rama-Berisha-Meta, të cilët i ka quajtur trekëndësh të Bermudës. 

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ajo tha shkurt: “Asgjë e re nga fronti i lindjes”.

Zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike nuk preferon ti komentojë.

“Nuk dua të komentoj asgjë që ka të bëjë me punët e brendshme të PD. LSI është një parti e qendrës së majtë që ka identitetin e saj. Me PD na ka lidhur bashkimi me kauzat për të mirën e qytetarëve si Teatri Kombëtar apo taksa për Rrugën e Kombit. Angazhimi i LSI ka qenë luajal dhe i qëndrueshëm”.

Idirekt ajo pranoi krisjen e bashkëpunimit me aleatin opozitar.

“Nuk kanë rëndësi fare marrëdhëniet e LSI me PD sot. Mjafton të shikojmë çfarë ndodh në parlament, tangoja teatrale e të ashtuquajturës opozitë me mazhorancë nuk po sjell gjë tjetër veçse po rrit borxhin e jashtëm për Shqipërinë dhe po e kalon në shifra ekstreme drejt falimentimit të shtetit. Pë të vazhduar me marrëveshje që nuk kanë transparencë politike dhe parlamentare”.

Kryemadhi tha se LSI mbetet në misionin e saj për të vazhduar opozitën, në identitetin e saj,

“Çdo institucion ku politika përballet me qytetarët e saj është inekzistent dhe kjo vjen si rezultat i tjetërsimit të rezultatit në 25 prill. Roli i LSI që mbante një lloj balanci në dy ekstremet..Kemi një kryeministër që ka 8 vjet në pushtet dhe flet për mungesë të ujit të pijshëm, borxhi shqiptar vetëm për ujin e pijshëm është rritur në 1.2 miliard.LSI e sheh veten në misionin e saj për të vazhduar opozitën, në identitetin e saj. Javën që kaloi dorëzova në prokurori padinë e tretë për inceneratorët, atë të Fierit”.