Shtatë shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë italiane mëngjesin e kësaj të hëne me akuzën e përfshirjes në një grup kriminal të transportit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Hetimet e nisura nga autoritetet italiane në Kieti në vitin 2019 kanë çuar në pranga Gjysho Banan 38 vjeç, Emiljan Gurin 31 vjeç, Bujar Perlican 49 vjeç, Edmond Rocin 45 vjeç, Brikeli Ziun 35 vjeç, Miklovan Ziun 42 vjeç dhe Armand Veliun 34 vjeç.

Mediat lokale të vendit fqinj raportojnë se, krahas 7 shqiptarëve të arrestuar, në pranga kanë rënë edhe 5 shtetas italian, ndërsa 32 të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë dhe 2 prej tyre janë nën masën “detyrim paraqitjeje”.

Hetimet nisën në shtator të dy viteve më parë, nga zbulimi i një kilogram e gjysmë heroine të fshehur në brigjet e lumit Alento në Francavilla al Mare. Në atë kohë, u arrestuan në flagrancë 19 persona dhe u sekuestrua rreth 60 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë dhe heroinë.