Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi SPAK mbylli hetimet dhe çoi në gjyq kryebashkiakun e Mallakastrës. Qerim Ismailaj.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Bardhi shkruan se marrja si i pandehur i Ismailajt është një akt i mirëpritur drejt spastrimit të politikës, ndersa shton se kryeministri Rama futi në politikë modelin e politikanit gangster, që rri në pushtet në aleancë me krimin.

“Marrja si i pandehur i uzurpuesit ilegjitim të Bashkisë së Mallakastrës është një akt i mirëpritur drejt pastrimit të politikës. Me kallëzimin tonë në SPAK, pasi treguam me dokumenta se mandati i tij ishte i paligjshëm, PD bëri vetëm detyrën ndaj qytetarëve. Ne i qendrojmë bindjes sonë se mund të ecim përpara drejt zhvillimit pa politikanë të korruptuar e të lidhur me krimin.

Të zgjedhurit në parlament, në qeveri dhe në bashki duhet të jenë shërbëtorë vetëm të interesave të qytetarëve. Edi Rama futi në politikë modelin e politikanit gangster, që rri në pushtet në aleancë me krimin.  Ky model duhet zhbërë përmes vetingut në politikë. Shqiptarët meritojnë të qeverisen nga politikanë me integritet”, shkruan Bardhi.

Kujtojmë se Qerim Ismailaj akuzohet për për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, ndersa ishte pikërisht PD që e denonci disa muaj më parë.