Për gjobitjen e kreut të shoqatës “Durrësi Autokton” Abdulla Deliallisi ka reaguar edhe kryetarja e degës lokale të LSI-së, Kontjana Kuçi.

“Turp”,- e ka cilësuar Kuçi këtë masë administrative, ndërsa thekson se “Kjo është një hakmarrje brutale dhe dashakeqe ndaj Shoqatës “Durrësi Autokton” vetëm sepse propozoi dekorimin e arkeologut të madh durrsak Vangjel Toçi. Është hakmarrje ndaj intelektualëve të Durrësit. Është dhunë ndaj qytetarëve të Durrësit”. 

Më tej Kuçi nënvizon se “Rilindja” nuk gjobit oligarkët, por një intelektual në pension.

Sipas saj, “Terrori policor ndaj qytetarisë durrsake do marrë pergjigjen shokuese më 25 prill.”

Postimi i Kontjana Kuçit:

TURP TURP TURP

Sekti i betonit, mafia e korrupsionit, barbarët që zhbënë historinë dhe vlerat arkeologjike të Durrësit, në ditën e vlerësimit nga Presidenti i Republikës me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” për arkeologun e mirënjohur, Profesor Vangjel Toçi, gjobitën me 5 milionë lekë të reja, pa të drejtë, inxhinierin e shquar në pension, z.Abdulla Deliallisi, Kryetar i Shoqatës “Durrësi Autokton.”

Kjo është një hakmarrje brutale dhe dashakeqe ndaj Shoqatës “Durrësi Autokton” vetëm sepse propozoi dekorimin e arkeologut të madh durrsak Vangjel Toçi.

Është hakmarrje ndaj intelektualëve të Durrësit. Është dhunë ndaj qytetarëve të Durrësit. 

“Rilindja” gjobit me 50 milionë lekë një intelektual të shquar në pension dhe nuk gjobit oligarkët, ortakët e saj të zhytur këmbë e kokë në shkelje e korrupsion.

Terrori policor ndaj qytetarisë durrsake do marrë pergjigjen shokuese më 25 prill.

Do jetë përgjigja më e fortë ndaj dhunës shtetërore në 30 vitet e fundit.

Kontjana Kuçi

Kryetare e LSI Durrës