Endrit Braimllari, ish-deputeti i LSI është gjobitur me 5 mln lekë pasi ka organizuar një aktivitet politik në kundërshtim me masat anti-COVID.
Policia bën me dije se njëkohësisht është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë edhe administratorja e lokalit e cila lejoi zhvillimin e këtij aktiviteti.
Aktiviteti për të cilin është vënë gjobë është zhvilluar më datë 7 shkurt ndërsa gjoba është vendosur ditën e sotme.
Kryeministri Edi Rama ditën e djeshme tha se të gjithë duhet t’i respektojnë këto masa, përfshirë këtu edhe partitë politike, pasi nuk do të ketë asnjë tolerim. Ditën e djeshme vendi ynë pati një rritje të të infektuarve në 24 orë, ku u raportuan 1143 raste të reja dhe 15 viktima në 24 orët e fundit, një shifër rekord që nga fillimi i pandemisë.
Njoftimi i policisë:
Organizoi aktivitet politik në kundërshtim me Aktin Normativ për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e COVID-19, ndëshkohet me masë administrative 5.000.000 lekë, përfaqësuesi i një subjekti politik. Njëkohësisht ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, edhe administratorja e lokalit e cila lejoi zhvillimin e këtij aktiviteti.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas konstatimit në rrjetet sociale se përfaqësuesi i një subjekti politik konkretisht shtetasi E. B., kishte organizuar dhe zhvilluar në ambientet e një lokali në qytetin e Maliqit, një aktivitet duke krijuar grumbullime personash në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, Neni 3, pika 2, e kanë ndëshkuar me masën administrative 5.000.000 lekë. Gjithashtu është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasja Z. B., pasi lejoi zhvillimin e aktivitetit në ambientet e lokalit që ajo administron, duke shkelur Aktin Normativ.





