Kreu i PD-së Lulzim Basha i ka përgenjështruar akuzat se vendimi për zgjedhjet në FRPD vjen pasi kreu i kësaj organizate Belind Këlliçi ka deklaruar se do të marrë pjesë në “Foltoren” e Berishës.
Basha tha se mandati i tij ka mbaruar prej dy vitesh dhe zgjedhjet e reja janë njoftuar dje nga PD-ja zyrtarisht.
“Jo nuk është aspak e vërtetë, sajesë e fabrikuar për interesa personale. Për herë të parë FRPD nën drejtimin tim ka zhvilluar zgjedhje me një anëtar një votë. Për fat të keq prej dy vitesh mandati i kryetarit ka skaduar dhe sërish të rinjtë dhe të rejat do zgjedhin me një anëtar një votë kryetarin. Asgjë nuk mund të pengojë PD të zbatojë normat statutore të demokracisë dhe aq më pak interesat personale të pengojnë funksionimin e parimeve të tilla”, tha Basha.
Gjithashtu Basha paralajmëroi se javën e ardhshme PD do të depozitojë në Kuvend draft-ligjin për të përfshirë në ligjin Anti Mafia edhe nene kundër oligarkisë.
“Një lajm tjetër që i shtohet vetingut të politikanëve javën e ardhshme ne do përparojmë me draft ligjin e përpiluar prej kohësh për të përfshirë në kuadrin ligjor Anti-Mafia, edhe nene kundër oligarkisë”, tha Basha nga selia blu.





