Një grup tifozësh të Juventusit nuk duan që në selinë e klubit bardhezi të ruhet ylli vlerësues për trajnerin e Interit, Antonio Konte. Pas ofendimeve dhe provokimeve dje në mbrëmje mes teknikut të zikaltërve dhe drejtuesve të “Zonjës së Vjetër”, disa ultras bardhezi kanë kërkuar që klubi të heqë nga muzeu i tij yllin e meritave dhe sukseseve të Kontes si lojtar dhe trajner i Juventusit.
Gishti i mesit i treguar dje ndaj Juventusit është konsideruar si një shenjë fyerjeje ndaj tifozëve dhe klubit. Megjithatë, klubi italian nuk ka vendosur të shprehet për propozimin në fjalë.“Ai nuk e meriton yllin në stadium, duhet t’i hiqet”, shkruajnë në rrjetet sociale disa tifozë fanatikë të “Zonjës së Vjetër”.
Edhe pse kontributet dhe sukseset e Kontes për Juventusin nuk mund të mohohen, fakti që ai drejton rivalin e përjetshëm të bardhezinjve, Interin dhe sjellja e mbrëmjes së djeshme e kanë kthyer 41-vjeçarin në “armikun numër 1” të tifozëve të Juventusit.





