Presidenti i Republikes, Ilir Meta gjatë një takimi me Drejtorin e Institutit Demokratik Amerikan për Evropën Qendrore dhe Lindore, Robert Benjamin ka ngritur shqetësimin për largimin e të rinjve shqiptarë nga vendi.

Kreu i shtetit u shpreh se të rinjtë duhet të kenë më shumë mundësi, për një të ardhme këtu.

Presidenti ka siguruar Robert Benjamin se gjithë aktorët politikë janë mbështetës dhe solidarë për strehimin e sigurt të përkohshëm në Shqipëri të qytetarëve afganë, të cilët kanë nevojë për ndihmë.

“Kënaqësi të takohesha sot me z. Robert Benjamin, Drejtorin e Institutit Demokratik Amerikan për Europën Qendrore dhe Lindore (NDI).

Vlerësova punën dhe angazhimin serioz të Institutit ndër vite në ndihmë të Kuvendit shqiptar dhe partive politike, duke synuar rritjen e llogaridhënies qeverisëse përmes aktivizmit politik dhe qytetar.

E sigurova z. Benjamin se të gjithë aktorët politikë janë mbështetës dhe solidarë për strehimin e sigurt të përkohshëm në Shqipëri të qytetarëve afganë, të cilët kanë nevojë për ndihmë.

Theksova se shpopullimi i vendit përbën një problem serioz dhe se të rinjtë shqiptarë kanë nevojë për më shumë oportunitete, që u ofrojnë atyre një të ardhme më të mirë dhe me dinjitet në Shqipëri”, shkruan Presidenti Meta ne Facebook.