Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, në një deklaratë për media nga selia e PD-së ditën e sotme, thotë se deri tani në seli nuk është bërë asnjë kërkesë zyrtare për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar.

Bardhi gjithashtu u shpreh se Berisha nuk ka arritur të mbledhë firmat e mjaftueshme, ndaj dhe sipas tij, ka vendosur të mos i dorëzojë zyrtarisht, por t’i mbyllë në kasafortën e Edi Palokës.

Dua të konfirmoj për çdo demokrat se në PD nuk ka ardhur asnjë kërkesë qoftë të një anëtari për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.  Ajo që demokratët kanë parë  ka qenë  një bllof i madh një tallje. Pas dy muaj përpjekjesh nuk u arrit qe të siguroheshin 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar.

Por bëhet një shoë dhe një tallje me demokratët duke u thënë që firmat i kemi por duhet t’i mbyllin në kasafortë. Nëse i kanë, i përsëris thirrjen t’i dorëzojnë në protokollin e PD. Jeni edhe ju dëshmitarë që deri në këtë moment në PD, në zyrën e protokollit ka punonjës, nuk jemi institucion në ilegalitet. Nuk kemi asnjë hall me ligjin. Unë nuk e kuptoj ku qëndron problemi i mosdepozitimit zyrtar të firmave, në protokollin e PD. Në fakt e kuptoj por bëj sikur nuk e di. Nuk vijnë firmat në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, vijnë në zyrën e protokollit të PD. Zoti Paloka e disponon zyrën si ish-nënkryetar i Partisë. Nuk ka zyrë, e ka si honorar, nuk ka as staf për kryerjen e ndonjë lloj procesi. Nuk e ka dorëzuar akoma.“, tha Bardhi.