Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu bashkë me tre deputetë të tjerë kanë dorëzuar sot në Kuvend një rezolutë që lidhet me situatën sipas tij të tensionuar në rajon.
Rezoluta përmban 5 pika drejtuar qeverisë shqiptare, ku ndër të tjera i kërkohet që këtë shqetësim ta përcjellë në institucionet ndërkombëtare si NATO, OSBE apo edhe Këshillin e Evropës.
“Me kolegun Bujar Leskaj, Isuf Çelaj, por dhe shumë të tjerë kemi menduar që të paraqesim në Kuvendin e Shqipërisë një projekt rezolutë, të cilën do ta diskutojmë me të gjithë përfaqësuesit e partive politike në mënyrë që të arrijmë në një rezolutë të plotë, të përfaqësojmë qëndrimin e parlamentit dhe të forcave tona politike, për të njehsuar një qëndrim mbarëshqiptar në raport me zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit. Është një situatë shqetësuese që duhet të na bëjë të jemi të gjithë në një zë, në një qëndrim, në një frymë bashkëpunimi dhe konsultimi dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë”, deklaroi Mediu.
5 kerkesat e rezolutes
1-Të ngarkojë qeverinë e Shqipërisë në këshillim me partnerat tanë që të adresojë këtë problematikë në NATO
2- Përmes delegacioneve të veta në NATO, OSBE, KIE, dhe institucione të tjera ta shpërndanë këtë rezolutë dhe ta bëjë objekt debati.
3- I kërkon qeverisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB të përcaktojë objektivat për rajonin dhe Kosovën.
4- Të shtohet mbështetja për integrimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare duke shpjeguar se lënia e këtij shteti jashtë ekspozon atë dhe rajonin përballë kërcënimeve ruso-serbe dhe destabilizimit të Ballkanit
5-Ka ardhur koha të zhvillohet një forum ndërparlamentar Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë dhe Maqedonia e Veriut me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike parlamentare shqiptare.





