Nga BUJAR QESJA

Një lajm tronditës shpërndahet në opinion. Thoma Fora ndali përfundimisht frymëmarrjen. Kurrsesi nuk mund të heshtja. Është nga ato intelektualë, është nga ato kuadro, është nga ato qytetarë, është nga ata njerëz që Durrësi e ndjen dhe do t’ja ndjejë edhe më shumë mungesën. Është nga ato mungesa që dhëmb. Është nga ato mungesa që të djeg. Durrësit tonë iu shkëput edhe një meteor. Thoma Fora është nga ato prerje, që na vjen për shtat të gjithëve, veçanërisht për t’u mburrur dhe krenuar.

Ka kryer shumë punë. Mbaj mënd që jam takuar me të në fabrikën e mobiljeve, ku drejtonte financat e kësaj ndërmarrje. Jam takuar shumë herë në veprimtaritë që organizonte Shoqata “Durrësi” ku drejtonte ajka e intelektualëve durrsakë si Halil Myderrizi, Salvator Sotiri, Koçi Koreta, Ilia Toçi, Ali Sula, Koçi Moisiu, Agim Shehu dhe ku çfaqeshin cilësitë organizative të Shpëtim Metanit.

Janë mjaft durrsakë të hijshëm dhe zotërinj, që nuk ndahen nga gjysma tjetër e familjes, bashkshortet e nderuara. Çifti Fora shkëlqente jo vetëm në prezantim, por edhe në shpirt. Thoma dhe Merita Fora, krijuan një familje model. Veç kësaj edhe shoqëria e tyre ishte tejet e zgjedhur. Intelektualë me mjekër, për të cilët e  ndjeja lumturinë dhe gëzimin që i kishim në mes nesh. Shoqëria e çfitit Fora me dyshen tjetër tërheqëse Agim dhe Fatbardha Drita, mbetet sinjal i mbajtjes gjallë të qytetarisë durrsake, e cila me njerëz të tillë kurrë nuk ka për t’u shuar.

Kam shkelur në familjen Fora. Një pritje që më kujton prindërit e mi, që e kishin të shenjtë miqësinë, korrektesën, hapjen katër kanatësh të portave të tyre. M’u kujtuan të mirnjohuri e qytetarisë si Hajri dhe Refika Kadiu, Miço dhe Ifi Gramatiko, Hysni Çyrbja, Muharrem Çelkupa, Mustafa dhe Flutura Çelkupa, Gjergj dhe Shpresa Vlashi, Remzi Tivari, Raq Manushi, Benardina Qerraxhia, e shumë e shumë të tjerë. Dhe ky Thoma Fora, i veçantë në urtësi, i heshtur por shumë aktiv në punë dhe shoqëri, të respektonte maksimalisht. Zotëronte një kulturë që më befasonte, por mbi të gjitha mikpritja, një komunikim i zgjedhur dhe i kujdesshëm.

Kam shkuar në familjen e Thoma Forës, për t’u njohur me kryepersonazhin e organizimeve të futbollit durrsak dhe pjesë aktive e historisë së tij. Ky është Stefan Druga. Kam në arkivë pjesën më të zgjedhur të veprimtarisë së tij dhe të Niko Dovanës me shokë. Dhe ky Thoma Fora m’u prezantua në formën më të mirë të mundshme. E ndjeva se preka në thesarin e vyer të qytetarisë durrsake, e cila gradualisht po i humb pinjollët e saj. Janë me dhjetra e dhjetra që na vështrojnë nga memoria e jonë, e cila sigurisht do të jetë gjithnjë e freskët për t’i kujtuar ato.

Largimi nga jeta i Thoma Forës në këtë stinë të kobshme kovidiane, e rëndon më shumë shpirtin tim, i rëndon më shumë shpirtërat tanë, që po përvëlohen më shumë se kurrë. Në rreth krushqie, Forat janë lidhur me fisin e njohur të Bylykbashëve, duke e ëmbëlsuar më shumë mjedisin e avancuar tonin, të lyer me mjaltin e nxjerrë nga nektari më i zgjedhur i qytetarisë durrsake.

Thoma Fora ishte dhe mbeti një qytetar model. Ai e donte Durrësin. Buzëqeshja e tij dhe kënaqësia kur takonte miq e shokë, mbetej nga më të sinqertat. Dhe kjo buzëqeshje, është nga kujtimet më të prekshme që na ka lënë si pasuri, ky i mënçur i shoqërisë së formuar durrsake. Na bashkonte Durrësi me Thoma Forën, na bashkonte interesi i njëjtë për t’i parë sa më mirë durrsakët dhe familjet e tyre të lidhura dhe në miqësi me njëra tjetrën. Kemi humbur një burrë të formuar, me brumin e dalë nga mielli i situr i qytetarisë durrsake. Dhe kjo më ligështon dhe më brengos.

Bashkë me këto formulime, nuk mund të shmang ngushëllimin e sinqertë drejtuar bashkëshortes Meritës, fëmijve dhe të afërmëve të tjerë, për humbjen e peshës së rëndë të qytetarisë durrsake siç është Thoma Fora. 

Kujtimi për të mbetet detyrim, ndërsa respekti dhe mirnjohja të përjetshme.

Dheu i lehtë Thoma Fora, burri zotni i Durrësit!

Durrës: 12 nëntor 2021