Mbrëmjen e sotme, në Nice të Greqisë, një makinë në lëvizje ka qëlluar me breshëri plumbash ndaj dy personave, të dy me origjinë shqiptare.
Nga breshëria e plumbave të dalë nga mjeti në lëvizje, ka humbur jetë pronari i pikës së servisit të makinave, emri i të cilit ende nuk është bërë me dije nga mediat vendase, dhe punonjësi i tij, gjithashtu me origjinë shqiptare.
Por nuk ka kaluar shumë kohë nga atentati, kur zjarrfikësja ka marrë një telefonatë se një makinë po digjet në Kifissos!
Sipas informacioneve paraprake bëhet fjalë për një automjet të vjedhur tip “BMW” që dyshohet se është përdorur nga autorët në momentin e krimit.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, që tashmë është në dy lokacione të ndryshme, e ka nisur nga puna për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Megjithatë paraprakisht dyshohet se ngjarja është thjesht larje hesapesh mes mafias shqiptare në Greqi.
Por skema e përdorur duket se është e njëjta nga ajo që po përdoret tashmë në çdo ngjarje të rëndë kriminale edhe në Shqipëri: vrasja bëhet nga një mjet në lëvizje, i cili më pas edhe digjet në një vend të shkretë larg atij të atentatit.





