Mbrëmjen e së premtes, një pjesë e kryesisë së degës lokale të PD Durrës është mbledhur në mënyrë informale për të diskutuar mbi Kuvendin e ardhshëm të thirrur nga lideri historik i kësaj partie, Sali Berisha, më datë 11 dhjetor.

Burime konfidenciale brenda kryesisë së PD-së bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se javën e ardhshme do të ketë një zhvilim të rëndësishëm, pasi pritet të bëhen publik emrat e delegatëve që kanë firmosur për mbledhjen e Kuvendit, më datë 11 dhjetor.

Të njëjtat burime konfirmojnë se në Durrës kanë firmosur 218 delegatë, nga 280 që janë gjithsej nga qyteti bregdetar.

Zhvillimi brenda degës së Durrësit duket se është në vazhdën e aksionit të ndërmarrë ditët e fundit, kur disa degë të PD, në Tiranë dhe rrethe, kanë vendosur të bëjnë publike emrat e firmëtarëve disa ditë para Kuvendit të datës 11 dhjetor.

Fakt interesant është se vizita e djeshme e liderit të PD, Lulzim Basha, në Durrës ka qenë një informacion që ka qarkulluar brenda një numri mjaft të vogël drejtuesish të degës, ndërkohë që shumë të tjerë nuk janë vënë në dijeni.

Basha ishte dje në Durrës në një familje të dëmtuar nga tërmeti, i shoqëruar nga kreu i degës Ferdinant Xhaferaj dhe sekretari Luan Hoti, vizitë për të cilën reagoi edhe bashkia Durrës.

Kreu i PD, Lulzim Basha është ftuar disa herë nga demokratët të zbresë në bazë, sidomos pas vendimit të tij për përjashtimin e deputetit Sali Berisha nga grupi parlamentar, deri në përfundim të procesit gjyqësor që lideri historik ka hapur në Francë kundër sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken, që e ka shpallur atë “non grata”. Por kreu i selisë blu nuk ka preferuar të përballet me anëtarësinë, duke u përqendruar më shumë në daljet televizive nga selia blu dhe në debatet me maxhorancën socialiste në Kuvend.

Që nga 9 shtatori, kur Basha mori vendimin për Berishën, ky i fundit nisi turin nëpër qytete, “Foltoren” dhe rreth 3 javë më parë shpalli datën e mbajtjes së Kuvendit, më 11 dhjetor, pasi për mbledhjen e tij kishin firmosur 4200 delegatë.

Basha u kundërpërgjigj duke mbledhur kryesinë, e cila vendosi për thirrjen e Kuvendit më datë 18 dhjetor.

Prej rreth 2 javësh, 4200 formularët me firmat e delegatëve për mbledhjen e Kuvendit janë depozituar në kasafortën e kreut të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, dhe janë ftuar të gjithë mbështetësit e Bashës por edhe mediat që të verifikojnë formularët e plotësuar.

M.B.