Nga BUJAR QESJA

Kreshnik Tartari mbetet një mik i madh i Durrësit dhe durrsakëve. Me siguri është ky shkaku, që kemi lidhur një miqësi, kushtëzuar nga sinqeriteti dhe respekti i pakufi, në emër të lokalizmit durrsak, por edhe të sportit. Tartarët janë një fis i njohur në Durrës dhe shumë sportiv. I jati i Kreshnikut, i mirnjohuri Nimet Tartari mbetet nga futbollistët më të spikatur të Teutës së viteve 30-të. Ai ka luajtur krahas yjeve të traditave më të vyera të futbollit të Durrësit, me Niko Dovanën, Kristaq Pizhën, Nikolla Tiranën, Rit dhe Orest Margaritin, Anastas Moisiun, Mikel Nushin, Fiqiri Tartarin, Adem Millën, Jorgji Zaguridhën, Latif Selën, Petraq Bushin, Elmaz Kurtin, Naxhi Stringën etj. 

Nga Tartarët është edhe ndër nismëtarët e krijimit të Futbollklub “Teuta” Musai. Kujtojmë që me “Lokomotivën”, ka luajtur futbollisti i talentuari Gaz Tartari. Dhe kulmi arriti me Kreshnik Tartarin, nga figurat më madhore të sportit shqiptar. Meqenëse jemi tek Tartarët, nuk mund të anashkaloj një tjetër mik të çmuar timin, Flamurin, që mbeti deri në fund të jetës, një flamur për dashurinë që tregonte për Durrësin dhe durrsakët.

Një fis shumë i njohur, me ndihmesa të mëdha janë këto Tartarët tanë, por që në këtë shkrim jam fokusuar tek Kreshniku, i cili ishte dhe mbeti kreshnik i pathyeshëm në karakter, grintë dhe në atë çka u përpoq moralin e pacënuar. Kam shkruajtur shumë për Durrësin, por shumë jam përpjekur edhe për të evidentuar sukseset e “Dinamos” në volejboll për femra. Durrësi është tapeti historik ku dinamovitet e forta të volejbollit, hidhnin në tuç rivalet e tyre, duke bërë atë histori nga më të jashtëzakonshmet të sportit tonë. Këtu nisi dhe thellohet miqësia ime me Kreshnik Tartarin, për t’u forcuar dukshëm në kohën, kur nisa të botoj të vetmen gazetë sportive në historinë e publiçistikës durrsake, me emrin “Teuta Sport”.

Aso kohe Kreshnik Tartari ndodhej në San Marino, duke drejtuar volejbollin e këtij minishteti. Ai u interesua të forcohej kjo gazetë dhe të mos mbeste vetëm në ngarkesën rraskapitëse të vetëm një njeriu. Ai dërgoi nga San Marino bazë materiale, ndonëse modeste mbetet hapi më serioz i asaj që ai mendonte të bënte. Tjetër punë se gjërat nuk shkuan ashtu siç e mendonim, për vetë ngjarjet që ndodhnin në vendin tonë dhe hallet dhe problemet tona personale, por ne mbetem fanatikë të gjërave të mira që ia vlente të sakrifikoje.

Në një nga sirtarët e magazinës time të memories fotografike, shkëputa një foto që çfaqet nga shteti i San Marinos dhe mbrapa saj, teksti plot mall dhe sentiment i Kreshnik Tartarit. Po e çfaq origjinalin e kësaj fotoje, por po e perifrazoj të plotë tekstin që shkruan pas saj Kreshnik Tartari.

I dashur Bujar!

-San Marino është e bukur. E vizitojnë çdo ditë shumë njerëz, nga e gjithë bota. Por Durrësi i jonë ka lezetin e vet. Ndër shumë gjëra që më mungojnë nga vëndi im, Durrësi dhe njerëzit e tij, janë nga më të shtrënjtit. Të lutem më jep mundësinë që nëpërmjet “Teuta Sport” të përshëndes klubin “Teuta”, sportistët e trajnerët, e sidomos sportëdashësit simpatikë, duke i uruar një vit me sa më pak vështirësi, e sa më shumë gëzime dhe suksese.

Përshëndes të gjithë shokët e mi durrsakë Narin, Metin e Petraqin…Fatosin e Ladin…Hercegun, Profkolën e Agarajin…Xhixhin, Mirushin dhe Fadilin…

Një urim të veçantë, mikut të tim eti, të nderuarit Mikel Nushi.

Të uroj ty i dashur Bujar, për punën e vyer që bën për Durrësin dhe durrsakët.

Kreshnik Tartari

San Marino: 29 dhjetor 1994 

Është prag viti i ri dhe Kreshnik Tartari e ka mëndjen tek Durrësi i tij, që nuk e ndan nga Tirana që lidhi jetën dhe karierën. Gazeta “Teuta Sport” filloi botimin me 11 shkurt 1994 dhe e ndali me 24 maj 2002, për arsyje të angazhimeve të shumta të botuesit. Por ajo kreu një mision të veçantë historik, nxiti cilësinë dhe nivelin e prezantimit të ekipeve të “Teutës” dhe intonoi sportëdashësit në përkrahje të ekipit të zemrës. Dhe në këtë mision fatmirësisht, u përfshi edhe një nga emrat më të famshëm të sportit kombëtar, një mik i madh i Durrësit dhe i durrsakëve Kreshnik Tartari.

Se cili është Kreshnik Tartari, po jua rikujtoj skendën e tij tejet të veçantë.

Datëlindja: 21 korrik 1943

Titujt: “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Trajneri i Merituar”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri” i klasit I, II, III; “Mjeshtër i Madh”, “Nderi i Kombit”, Trajner i Kategorisë I në Itali.

Trajner i Kategorisë Ndërkombëtare, dhënë nga Akademia Ndërkombëtare e Volejbollit (FIPAV).

1958-1972, volejbollist me “Dinamon” dhe ekipin Kombëtar.

1972-1990, trajner me ekipin e femrave të “Dinamos” dhe ekipit Kombëtar.

1991-1992, trajner me ekipin e femrave të Palermos, Itali.

1992-1997, trajner i ekipeve për meshkuj e femra të San Marinos dhe i Kombëtares së atij vendi.

1997-2001, zëvendësministër përgjegjës për sportet në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve.

2002-2006, trajner i ekipit “Aulona”.

2008-2012 trajner i ekipit të femrave të Universitetit “Marin Barleti”, UMB Volej.

– 26 herë kampion kombëtar si volejbollist e trajner.

– 18 herë fitues i Kupës së Republikës, si lojtar e trajner.

– 17 herë pjesëmarrës në edicionet e kupave të Europës si lojtar e trajner, nga të cilat 4 herë si finalist, 1 herë si lojtar, 3 herë si trajner.

– Disa herë kampion i Ballkanit, nënkampion e vendi i tretë,

– Medalje ari në Lojërat Mesdhetare

– Mbi 400 ndeshje ndërkombëtare dhe 2000 ndeshje zyrtare.

Durrës: 29 nëntor 2021