Pasditen e sotme ndërroi jetë në moshën 81-vjeçare aktorja e njohur Edi Luarasi, e cila ka qenë pjesë e dhjetra filmave në role të ndryshme.
I biri, Eldon Luarasi shkruan në një postim në Facebook se Edi ndërroi jetë pasditen e sotme dhe varrimi do të bëhet nesër në orën 14:00.
“Me hidherim te thelle njoftojme se sot me date 3 dhjetor 2021 ndroi jete nena jone e shtrenjte Edi Mirdita Luarasi. Lea dhe Eltoni! Varrimi behet diten e Shtune dt. 04/12/2021 ora 14:00.
Ceremonia mortore zhvillohet tek Intrnacionali i vjeter ne rrugen e Kavajes mbrapa ish Lidhjes se Shkrimtareve”, mbyllet postimi i tij.
Kush ishte Edi Luarasi:
Edi Luarasi lindi në Tiranë më 7 maj 1940. Luarasi ka debutuar në skenë në moshë të re. Fillimisht në 1956, kur ishte 16 vjeçe, së bashku me të motrën këndonin në skenën e Teatrit të Estradës.
U diplomua për aktore në 1963 dhe emërohet aktore në Teatrin Popullor. Roli i parë i saj ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard” më 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin.
Më pas, në dhjetë vjet, vijnë një sërë rolesh të arrirë, ku veçojmë Lenën tek “Doktor Aleksi”, Kordelja tek “Mbreti Lir”, Cuca tek “Cuca e maleve”, Kristina tek “Fytyra e dytë”, etj.
Përjashtohet nga Teatri Kombëtar në 22 janar 1974 për arsye politike e më pas u rikthye në skenë në mars 1991, me interpretimin dinjitoz në rolit e damës plakë në dramën “Vizita e Damës plakë”.
Interpretoi edhe në 1995 në dramën “Hekurat”, më vonë, me sukses në dramat “Cilindri”, “Streha e të harruarve”, etj. Ajo është nderuar me titullin “Artiste e Merituar”.





