Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në SHBA është takuar me dekanin e programeve e studimeve ndërkombëtare në universitetin e Miçiganit, Steven Hanson, ku bën me dije se është firmosur dhe një marrëveshje bashkëpunimi.

Rama ka postuar një video në “Facebook”  nga takimi me Hanson, krahas së cilës shkruan se qeveria po punon për të mundësuar hapjen e rrugës  së universiteteve shqiptare me ato ndërkombëtare, në mënyrë që të kenë programe e projekte të përbashkëta.

Ishte një vizitë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e interesit për të krijuar këtë lidhje mes këtij universiteti të famshëm të SHBA dhe Universitetit tonë të Bujqësisë, por jo vetëm. Jam bashkë me profesorin që koordinon këtë proces. Pasi kemi firmosur një marrëveshje mirëkuptimi mes ministres dhe drejtueses së programeve të këtij universiteti ne presim që në fillim të vitit të ardhshëm të kemi një vizitë pune për të parë si do të ecim më tej në mënyrë që ti japim një forcë të re universitetit tonë të Bujqësor, por jo vetëm dhe të krijojmë një tjetër hapësirë për studentët tanë që të qëndrojnë në Shqipëri dhe të studiojnë me kushtet dhe cilësinë më të lartë që ofrojnë universitetet e huaja, përfshirë edhe atë të Miçiganit. Kjo është një miqësi që lindi nga një tjetër miqësi mes Universitetit të Miçiganit dhe profesorëve të këtij Universiteti në Afganistan, të cilët ne i kemi strehuar në Shqipëri. Në këtë mënyrë kemi hapur një derë të re me miq dhe partnerë të rinj që do të sjellin në Shqipëri më shumë dije dhe më shumë mundësi për të rinjtë tanë.“,- tha Rama.