I përjashtuar përjetë nga impianti i Borusias së Dortmundit.

Ka qenë ky vendimi i marrë dje nga klubi i Ruhrit, në dëm të komikut Sebastian Pufpaf, i cili përveç se njihet si tifoz i verdhezinjve, në të njëjtën kohë ai është edhe sozia e trajnerit Marko Roze.

Dhe pikërisht duke shfrytëzuar ngjashmërinë e madhe me teknikun, rrengu që ai bëri fundjavën që lamë pas, i kushtoi shtrenjtë.

I pajisur me kamera trupi, Sebastian vendosi që të hiqet si trajneri Roze, aq sa nga autobusi e deri në hyrjen e tij në fushën e blertë, përpara nisjes së takimit kundër Bajernit, humoristi arriti që të kapërcejë të gjithë kordonët e sigurisë.

Kjo nervozoi shumë krerët e klubit të Dortmundit, të cilët vendosën ta përjashtojnë përjetë nga impianti i tyre komikun.