Ndeshja ndaj Udinezes ka qenë për t’u harruar për Milanin, që la pikë të rëndësishme në rrugën drejt titullit kampion në Serinë A.
Barazimi 1-1 tregoi se kjo ishte një natë “jo” për kuqezinjtë e me sa duket në të gjitha drejtimet pasi bënë edhe një gafë të pazakontë.
Në fillimin e pjesës së dytë të ndeshjes, në fushën e lojës u fut në vend të Kruniç braziliani Mesias. Por menjëherë u vu re që kishte një gabim në fanellën e tij.
Magazinierët e klubit me sa duket nuk kishin qenë të vëmendshëm kur kishin stampuar fanellën për lojtarin, i cili po luan rregullisht në ndeshjet e fundit me skuadrën e Piolit.
Në vend të MESSIAS JR. që shkruhet zakonisht në fanellën e tij, aty shkruhej MEESSIAS JR., me një “E” më shumë.
Një gabim që nuk ka kaluar pa u vënë re dhe është kthyer në një objekt talljesh në rrjetet sociale me tifozët kundërshtarë që kanë shpërndarë fotot e “blerjes së re” të kuqezinjve me shpejtësi.





