Një Zidan i tillë nuk ishte parë kurrë në konferencë. Trajneri i Realit të Madridit shpërtheu kundër gazetarëve dhe tha se nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i skuadrës. Ai madje i siguroi të gjithë se skuadra do të luftojë për trofetë e rëndësishëm deri në fundin e sezonit.
“Ajo që më bën të qesh është fakti që më pyesni pse jam i mërzitur. Mendoj se unë jam i fundit që mendoj se çdo ditë jam jashtë kësaj pune. Nuk jam i kënaqur që më pyesni gjithmonë për një ndeshje të keqe. Nuk e meritoj këtë trajtim nga ana e mediave.
Unë kam fatin që punoj në këtë skuadër. Vitin e kaluar fituam titullin kampion dhe pres më shumë respekt. Nëse nuk do të fitojmë gjë këtë vit, jam i pari që mbaj përgjegjësi. Prej disa kohësh jam i izoluar dhe kam shumë dëshirë që të dal dhe të them që do të luftojmë deri në fund”.
CHAMPIONS – “Unë besoj te gjithçka, edhe te titulli kampion gjithashtu. Kemi edhe 54 pikë në lojë dhe dy kompeticione, ku duhet të bëjmë gjithçka për të triumfuar”.
VINICIUS – “Duhet të bëjë punën e tij. Është vetëm 19 vjeç dhe duhet të mësojë shumë gjëra. Ne do ta ndihmojmë që të luajë mirë. Unë kam këtë merak me Vinin, por edhe me të tjerët. Shpresoj që të jetë mirë dhe të rikthehet sa më shpejt në formë sepse jemi vetëm 15 futbollistë”.
REBELIMI – “Ju si gazetarë bëni punën tuaj, por unë nuk jam trajtuar siç duhet. Një ditë thuhet se jam larg Realit, një ditë tjetër që jam brenda. Nëse barazojmë ose humbasim, do të shkarkohem. Këtë bëni ju. Rebelohem sepse nuk po më lini të bëj punën time. Ne duhet të bëjmë punën tonë, ndërsa ju tuajën. Duhet të respektojmë njëri-tjetrin”.
ZËVENDËSIMET – “Nëse ka gjëra që nuk funksionojnë, duhet t’i shohim me përgjegjësi. Vitin e ardhshëm duhet të bëjmë diçka, por këtë vit duhet të vazhdojmë me këta lojtarë që kemi. Ne do të luftojmë për tifozët tanë. Duam të fitojmë dhe të luajmë mirë futboll”.
HAZARD – “Nuk është aspak i kënaqur me situatën. Unë e kuptoj totalisht. Ai është i pari që dëshiron që gjërat të jenë ndryshe, por nuk e ka në dorë. Shpresoj që t’i lërë pas dëmtimet dhe të tregojë se çfarë lojtari është”.
TITUJT – “Do të tentojmë t’i fitojmë të gjitha. Ka dy kompeticione në lojë dhe duhet të japim gjithçka”.
RAMOS – “Flitet shumë, por unë nuk di asgjë dhe askush nuk e di. As ju nuk e dini se çfarë do të ndodhë. Shpresoj që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt. Kjo është e vetmja gjë që mund të them. Si kapiten dhe lojtar shpresoj që të qëndrojë te Reali”.
E ARDHMJA – “Unë nuk e di çfarë do të ndodhë. Meritojmë të gjithë që ta mbyllim këtë sezon dhe pastaj të shohim. Flitet se duhet të ndryshojë trajneri apo gjëra të tilla. Unë jam me fat që ndodhem në këtë ekip dhe lojtarët gjithashtu”.





