Dimitar Kovaçevski, është zgjedhur kryetar i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë së Veriut. Në këtë post, ai do të zëvendësojë kryetarin e deritanishëm, Zoran Zaev, i cili dha dorëheqjen pas humbjes së LSDM-së në zgjedhjet lokale të 31 tetorit.

Zgjedhja e Kovaçevskit u bë në Kongresin e jashtëzakonshëm të socialdemokratëve, ndërsa me të në garën për kryetar  garuan edhe dy kandidatë të tjerë, Frosina Remenski dhe Jovan Despotovski.

Kryetari i ri i LSDM-së, Kovaçevski, pritet të jetë edhe kryeministër i ardhshëm pasi, Zoran Zaev, është dorëhequar edhe nga drejtimi i qeverisë, por ende nuk ka kaluar në Kuvend pasi organet drejtuese të LSDM-së, kërkuan shtyrjen e dorëheqjes deri në zgjedhjen e kryetarit të ri dhe sigurimin e shumicës në Kuvend.