“Këtu është fundi i botës. Këtu nuk jetohet. Mos të kërkojnë të shkojnë në Evropë, është Afrikë. Këtu është Afrika e tretë”.

“Mishin nuk e hajmë fare. As nuk e njofim si e ka erën. Nuk na del, nuk na del”.

Këto janë disa nga deklaratat e dhëna nga konsumatorët për mikrofonin e “DurrësLajm” gjatë ditës së sotme në tregun e fruta-perimeve.

Qytetarët e Durrësit, por veçanërisht pensionistët dhe familjet me buxhet të vogël apo mesatar, e ndjejnë më së shumti rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore.

Shumë nga blerësit ngritën shqetësimin për pagat dhe pensionet e vogla, që nuk u mundësojnë të blejnë as produktet e shportës, si mishi, bulmeti, vaji i ullirit etj.

Për shitësit, rritja e produkteve vjen nga tregtarët e shumicës. Një tregtar thotë se disa nga produktet i shet pa fitim fare, ndërsa një tjetër deklaron se çmimet janë njësoj si një vit më parë.

Pandemia që ndikoi së tepërmi në ekonomitë familjare, por edhe rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe naftës që vijon prej disa muajsh tashmë ua ka bërë thuajse të papërballueshëm mbylljen e muajit një pjese të konsiderueshme të popullsisë.

M.B.