Bashkia Durrës ka hapur të hënën tenderin me procedurë të kufizuar për riforcimin e një pallati të dëmtuar nga tërmeti i 26 nnëtorit 2019, me shkallë dëmi DS4.

Për riforcimin e godinës me kode gis 1023, 1025 janë akorduar 98,608,544 lekë ndërkohë që ftohen firmat e interesuara të paraqisin dokumentacionin e kërkuar deri në datë 23 dhjetor të këtij viti.

Pallati ER-AR ndodhet në rrugën “Bajram Tusha”, në Shkozet dhe në godinë parashikohet të realizohen një sërë punimesh për riforcimin e saj, punime të cilat specifikohen në projektin e realizuar nga kompania ARCON Studio sh.p.k. dhe inxhinieri Dhimitër Papa.

Punimet për riforcimin e pallatit pritet të zgjasin 224 ditë, që nga lidhja e kontratës. Pallati shumëkatësh, i përbërë nga dy kulla, ishte ndër objektet me dëmtimet më të mëdha nga tërmeti i 2 viteve më parë.

Në të njëjtën kohë, bashkia Durrës ka hapur procedurat për tenderin e mëposhtëm:

“Riforcimi pallateve me kod gis: 19051, 19142, 21263 dhe riforcimi banesave individuale në njësinë administrative Sukth të banorëve: Agim Hoxhallari, Besim Voda, Fatime Shehi, Hamitjan Lica, Vildan Qoku, në kuadër të procesit të rindërtimit”.

Edhe në këtë rast, bëhet fjalë për një tender me procedurë të kufizuar, që kap vlerën 94,063,562 lekë.

Kompania që do të shpallet fituese do të marrë përsipër punimet për riforcimin e 3 pallateve në rrugët “Mujo Ulqinaku” (kodi gis 19142), “Horizonti” (kode gis 21263, 19051) dhe 5 banesave individuale në zonën e Sukthit.  

M.B.