Pandemia Covid-19 në dy vitet e fundit ka ndikuar negativisht në familjet shqiptare, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe atë psikologjik.
Karantinimi dhe diferencimi social për një kohë të gjatë vuri në sprovë bashkëjetesën familjare dhe fakt është që gjatë kësaj periudhe është rritur ndjeshëm numri i divorceve.
Duket se më të prekura kanë qenë familjet e reja, ato me pak vite bashkëjetesë dhe me fëmijë të vegjël.
Punonjësja sociale pranë gjykatës së Durrësit, Afërdita Mehmeti deklaron se vitet e fundit vihet re një tendencë në rritje përsa i përket kërkesave për zgjidhje të martesës nga ana e grave. Sipas saj, kjo tregon emancipimin e grave, të cilat gjithnjë e më shumë i drejtohen dyerve të gjykatës për t’i dhënë fund martesave toksike.
Përveç çiftit të bashkëshortëve që shkojnë drejt ndarjes, fëmijët janë ata që e përjetojnë shumë ndarjen e prindërve. Debatet por edhe konfliktet fizike mes çiftit shpesh konsumohen në sy të fëmijëve duke u shkaktuar atyre trauma psikologjike, të cilat duhet të kurohen më pas nga specialistë të fushës, thekson ekspertja Mehmeti.
Për herë të parë, që nga publikimi i statistikave të divorceve nga INSTAT, tri dekada më parë, në 2019 është shënuar niveli më i lartë të tyre, me 26.1 divorce për 100 martesa. Më shumë se një e katërta e martesave po përfundojnë në divorc, çka është një kambanë alarmi për ekspertët e fushës psikologjike dhe sociale, kurse ekspertët ligjorë vënë theksin në problematika të shumta që pasojnë ndarjen e çifteve të martuara. Në 10 vitet e fundit kemi një rritje me 62.5% të numrit të divorceve, ndërsa numri i martesave ka pasur luhatje dhe rënie.
M.B.





