Të shtunën, më datë 18 dhjetor, në të gjitha degët e PD-së në rrethe, komisioni i rithemelimit të partisë, ka thirrur mbajtjen e referendumit për shkarkimin e kryetarit Lulzim Basha. Në Durrës, 2700 anëtarët e kësaj partie janë ftuar në Pallatin e Kulturës të shprehin me votë vullnetin e tyre. Procesi i votimit do të zhvillohet nga ora 08.00-17.00.
Nënkryetari i PD Durrës, Dritan Burgija bën të ditur për “DurrësLajm”, se mbi 2/3 e kryetarëve të grupseksioneve janë angazhuar për të garantuar mbarëvajtjen e procesit, ndërsa fton të gjithë anëtarët të votojnë për shkarkimin e Bashës.
Për t’u ardhur në ndihmë anëtarëve të PD në njësitë administrative të Sukthit, Manzës dhe Ishmit, krahas qendrës së votimit të Pallati i Kulturës, një qendër tjetër do të jetë në një subjekt privat pranë bashkisë Sukth.
Në të njëjtën ditë, kryetari Basha ka thirrur mbajtjen e Kuvendit, por sipas nënkryetarit Burgija nuk do të ketë kuvend, por vetëm një mbledhje dhe asgjë më shumë.
Por çdo të ndodhë në PD pas datës 18 dhjetor?
Burgija shprehet se janë në pritje të udhëzimeve nga komisioni i rithemelimit, ndërsa më datë 20 do të jenë të gjithë pjesë e protestës kombëtare, të paralajmëruar mbrëmjen e djeshme nga lideri historik i PD, Sali Berisha.
Në Kuvendin e datës 11 dhjetor, pjesa më e madhe e delegatëve të Durrësit ishin të pranishëm, mes të cilëve deputetë dhe ish-deputetë si Oerd Bylykbashi, Igli Cara, Fatbardha Kadiu, Gazmend Oketa, 3 nga nënkryetarët e degës Dritan Burgija, Arlind Boshku, Neritan Golja, krerët e departamenteve dhe grupseksioneve etj.
Ndërkohë kanë shprehur mbështetjen e tyre për Bashën, kryetari i komanduar Luan Hoti, nënkryetarët Pëllumb Berisha dhe Gaz Luku, deputeti Ferdinand Xhaferaj etj.
M.B.