Teuta luan nesër në orën 16:45 në “Niko Dovana” ndaj Apolonisë për javën e 18 të Kategorisë Superiore. Para kësaj sfide në konferencën e zakonshme për shtyp foli trajneri i durrsakëve, Edi Martini. I cili u shpreh se pas humbjes ishin ditë reflektimi”, ai thekson se Apolonia është skuadër në formë por për Teutën është e rëndësishme të fitojë.

Si kanë qenë këto ditë pas humbjes në Laç për ju dhe skuadrën më tërësi?

Ishin ditë që kemi reflektuar në stërvitje, por edhe në bisedat me lojtarët sepse të them të drejtën ishte një humbje ku nuk luajtëm keq, por pësuam një gol dhe humbëm pikë. Kemi punuar me të njëjtin ritëm dhe kemi biseduar shumë me lojtarët sepse ana psikologjike është gjithashtu e rëndësishme. I kemi parasysh gabimet e bëra ndaj Lacit.

Në analizën që keni bërë, keni arritur në ndonjë konkluzion pse jeni ende larg pritshmërive?

Jemi munduar t’i riparojmë gjatë javës, normalisht që secili gjatë analizës sheh gabimet e veta, jemi munduar dhe besoj se do i rregullojmë.

Luani ndaj Apolonisë në Durrës, çfarë pret nga skuadra?

Ndaj Apolonisë pres të marrim fitoren, që është e domosdoshme dhe nuk duhet të diskutohet. Kemi përballë Apoloninë, që ka bërë mirë javët e fundit, por për ne është e rëndësishme të fitojmë.

Shpesh keni gabuar në shtëpi, tani mendoni se nuk ka më asnjë justifikim për ekipin?

E kam thënë edhe më përpara dhe për të disatën herë. Tani nuk ka ndeshje në shtëpi dhe jashtë. Fushat janë asnjëanëse, pa tifozë, nuk ka ndikim se në cilën fushë luan. Ne duam të fitojmë cdo ndeshje.

Prisni të ndalen rivalët këtë javë dhe të përfitoni apo nuk bëni llogari?

Unë nuk bëj fare llogari sepse na kanë kushtuar dhe kemi gabuar. Do shohim të ndeshjet tona dhe kemi kohë më pas për të parë kundërshtarët.

Çfarë ju kanë thenë drejtuesit për këtë situatë?

Të gjithë jemi një. Jemi bashkë edhe kur jemi mirë, edhe kur jemi keq. Edhe ata kanë kërkesat e tyre sepse jemi ndërtuar për të qenë të parët këtë vit. Vllaznia është skuadra, që ka dalë nga pritshmëritë sepse jemi aty aty me të gjithë rivalët e tjerë.

Si paraqitet gjëndja e skuadrës dhe veç Avdylit pjesa tjeter është ok?

Në përgjithësi jemi mirë. Avdyli ka plotësuar numrin e kartonëve dhe nuk do jetë pjese e ndeshjes. Deri nesër do të shohim dhe do vendosim për formacionin, kemi mjaftueshëm lojtarë dhe besoj se do zgjedhim më të mirët nesër para fillimit në ndeshjes.