Djathi i dhisë është me më pak yndyrë dhe tretet më lehtë se sa djathi i lopës, madje nuk irriton sistemin tretës. Sipas të dhënave të AgroWeb.org është i pasur në vlera ushqyese të cilat forcojnë metabolizmin.

Djathi i duhur për sistemin tretës

Vitet e fundit djathi i dhisë është vlerësuar nga dietologët pikërisht për faktin që përmban më pak yndyrë në krahasim me llojet e tjera. Gjithashtu djathi i dhisë pranohet dhe tolerohet nga organizmi dhe i personave që janë alergjikë ndaj laktozës.

Djathi i dhisë ka më shumë vlera ushqyese dhe të mban të ngopur më gjatë.

Në krahasim me qumështin e pasterizuar, qumështi i dhisë përmban dyfishin e sasisë së hekurit. Ndërsa nëse krahason kalciumin dhe mineralet, qumështi i dhisë sigurisht që i kalon parametrat. Nëse keni probleme me tretjen, qumështi i dhisë është më i lehtë për sistemin tretës. Proteinat dhe yndyrnat që gjenden tek qumështi i dhisë kanë një strukturë molekulare më të thjeshtë për ta shpërbërë nga stomaku. Si përfundim, 100 gramë djathë dhie ka vetëm 250 kalori, që e bën këtë produkt zgjidhjen perfekte nëse ruani sasinë e ushqimit që konsumoni.

Një minierë e vërtetë bakteresh të mira

Djathi i dhisë kur është i freskët, prodhohet nga mpiksja e qumështit natyral, pa shtesë të mullëzës. Gjatë këtij procesi, laktoza kthehet në acid laktik përmes fermentimit, duke i dhënë produktit një strukturë që shpërbëhet lehtë nga organizmi. Shmangia e pasterizimit, bën të mundur që paketa me vitamina që gjendet tek qumështi të ruhet dhe kur prodhohet djathi. Bakteret e mira që gjenden tek qumështi i dhisë, ndihmojnë në funksionimin e sistemit tretës. Në markete gjendet dhe djathë dhie i prodhuar me qumësht të pasterizuar apo dhe me shtesë mullëzës. Në këto raste përqindja e vitaminave dhe proteinave është më e ulët në krahasim me produktet e djathit të prodhuar nga qumështi natyral.

Burimi është i rëndësishëm

AgroWeb.org këshillon që të tregoni kujdes kur blini djathin, pasi duhet të siguroheni që ai është prodhuar me qumësht dhie dhe jo duke e përzierë me lloje të tjera. Diçka e tillë vlen për të gjithë llojet e djathit. Nëse kërkoni që djathi të jetë i pasur me vlerat natyrale të qumështit nga është prodhuar, duhet të jetë i papërzierë. Në shumë raste të djathit të përgatitur nga shumë lloje qumështi, përbërësit eliminojnë vlerat e njëri tjetrit. Për më tepër për personat që janë intolerant ndaj laktozës, një përzierje e tillë është e rrezikshme për shëndetin e tyre. Prandaj këshillohet që të shmangen. /AgroWeb.