Këshilltarët bashkiakë miratuan mesditën e sotme buxhetin e bashkisë Durrës për vitin 2022. Ishte vetë kryebashkiakja Emiriana Sako që prezantoi prioritetet e buxhetit të vitit të ardhshëm me vlerë 3.68 miliardë lekë të reja, ose 20% më i lartë sesa ai i këtij viti. Sipas Sakos, investimet kryesore do të përqendrohen në infrastrukturë, arsim, menaxhim mbetjesh etj.
Duke qenë se Durrësi është përballur gjatë këtij viti me një problematikë të theksuar përsa i përket menaxhimit të mbetjeve urbane dhe meqë tashmë është konkretizuar marrëveshja me koncesionarin e Sharrës, kryebashkiakja deklaroi se buxheti për plehrat rritet me 104% në 2022.
Në hartimin e buxhetit të vitit të ardhshëm dhe buxhetit afatmesëm 2022-2024 , një rol të rëndësishëm zë dhe arsimi. Kryebashkiakja Sako bëri të ditur shkollat që do t’i nënshtrohen rikonstruksionit, si dhe ato që do të ndërtohen të reja.
“Investimet në arsim do të jenë ndërtimi i godinës së re të shkollës 9-vjeçare “Met Hasa”, rikonstruksioni i plotë i QKF Durrës, ndërtimi i një shkolle të re ku do të bashkohen shkollat 9-vjeçare “Vasil Ziu” dhe “Nënë Tereza”, rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Demokracia”, rikonstruksioni i shkollës “Besnik Hidri” Shënavlash si dhe rikonstruksioni i shkollës “Don Nikollë Kaçorri”, ndërtimi i kopshtit në oborrin e shkollës “Isuf Hoti” në bashkëfinancim me PNUD për pogramin e rindërtimit”,- tha Sako në mbledhje.
Gjatë vitit të ardhshëm, 4035 biznese të mëdha në bashkinë Durrës do të paguajnë një tarifë provizore për 3 vjet në vlerën 120.000 lekë të vjetra në vit për arsimin, e cila do të përdoret për përmirësimin e infrastrukturës në godinat arsimore në fshatrat e thella të Ishmit, Manzës etj, për krijimin e hapësirave rekreative në oborret e shkollave të rindërtuara dy vitet e fundit si dhe për blerjen e materialeve didaktike.
Ndërkohë, duke filluar nga viti i ardhshëm 2500 studentë të UAMD-së, që vijnë nga familjet në nevojë si dhe studentë ekselentë si do të pajisen me kartën e studentit, duke përfituar kështu lehtësi të ndryshme.
Duke pasur parasysh përmbytjen e vazhdueshme të lagjes nr.1 dhe lagjes nr.13, në buxhetin e vitit të ardhshëm, bashkia ka parashikuar ndërhyrjen në kanalin e ujërave të bardha në zonën e plazhit dhe tek rruga “Taulantia”.
Sako deklaroi se përgjatë vitit të ardhshëm do të pësojnë një rritje të ardhurat nga tarifat e pastrimit, ndriçimit dhe gjelbërimit.
M.B.





