Në mbledhjen e fundit, qeveria Rama miratoi aktin normativ për shtyrjen me 4 muaj të tjerë të afatit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Nga 31 dhjetori i këtij viti që ishte afati i fundit, tashmë pronarët e këtyre pasurive kanë mundësi deri më 30 prill 2022 të bëjnë rivlerësimin me tatimin 3% dhe jo 15% që është realisht.
Sipas administratorit të “Mei Smart”, Florian Tahiri, vendimi është i mirëpritur nga qytetarët dhe këtë e tregojnë edhe shifrat e regjistruara në zyrat e Kadastrës, ku qyteti i Durrësit regjistron rreth 6500 aplikime për rivlerësim prone.
“Të gjithë ata që kanë në plan të shesin pronën, por edhe ata që nuk kanë në plan tani por pas disa vitesh është mirë ta bëjnë rivlerësimin. Vetëm gjatë vitit të fundit, kemi mbi 56 mijë aplikime për rivlerësim në të gjithë vendin, ndërsa për Durrësin jan rreth 6500 aplikime. Ky proces pritet të sjellë një qarkullim më të mirë për ekonominë, pritet që të shtohen arkëtimet në arkën e shtetit”,- tha ndër të tjera në një prononcim për “DurrësLajm” administratori Tahiri.
Sipas Tahirit, vendimi i qeverisë Rama ndikon jo pak në formalizimin e tregut të shitblerjes së pronave, i cili vitet e fundit është përballur me sfida të shumta.
Ndryshe nga stina e verës, kur tregu imobiliar gjallërohet dhe ka shumë lëvizje, në këtë periudhë festash që përkon edhe me kthimin në atdhe të emigrantëve, situata është shumë më ndryshe. Sipas Tahirit, këto ditë të fundit të vitit 2021 ka pak lëvizje në tregun imobiliar.
Qeveria ndërmori vendimin për shtyrjen e rivlerësimit të pronave për tre arsye kryesore që janë vështirësitë e krijuara qytetarëve nga pandemia Covid-19, pamundësia e emigrantëve për t’u kthyer në atdhe prej kufizimeve nga koronavirusi si dhe për t’u dhënë mundësi atyre që e kanë legalizuar së fundmi pronën të mund të përfitojnë nga ky proces.
M.B.





