Jorge Jesus nuk është më trajneri i Benfikës. Drejtuesit e “Shqiponjave të Lisbonës” kanë shkarkuar nga detyra 67-vjeçarin sipas raportimeve që vijnë nga Portugalia.
Benfika renditet në vend të tretë në kampionat me katër pikë më pak se Porto kryesuese, teksa në Champions League bëri mirë në fazën e grupeve dhe në raundin e 1/8-ve do të përballet me holandezët e Ajax.
Drejtimi i skuadrës do t’i besohet për momentin Nelson Verissimo, trajnerit të ekipit B të Benfikës. Presidenti Rui Costa ka nisur nga puna për të gjetur trajnerin e ri.
Në “pole position” qëndron Andrea Pirlo, i cili drejtoi Juventusin sezonin e kaluar. Ish-mesfushori i njohur ka qenë shok skuadre me Rui Costën te Milani dhe të dy kanë ruajtur një raport shumë të mirë.
Pirlo e ka shprehur prej kohësh dëshirën e tij për të provuar eksperiencën e dytë si trajner në karrierë, Benfika është një opsion që e tundon dhe tani pritet vetëm arritja e akordit zyrtar.





