Durrësi e nisi Vitin e Ri 2022 me një koncert që mungonte prej shumë vitesh dhe një spektakël fishekzjarresh, që për disa minuta krijuan një magji të vërtetë në qiell.
Pas trokitjes së gotave dhe urimit për një vit më të begatë, pasi të përfundojnë edhe ditët e pushimit, gjithësecili do të kthehet në rutinën e tij të përditshme, që pak herë mund të jetë aq e shndritshme sa dritat e fishekzjarrëve në qiell.
Vit pas viti qytetarët ankohen gjithnjë e më shumë për investimet publike, të cilat nuk u zgjidhin hallet e përditshmërisë.
Më poshtë po rendisim disa nga investimet publike që kanë marrë “pjesë e luanit” dhe po ia lëmë gjithësecilit prej jush të gjykojë për to:
- Eco Parku – Kryeministri Rama pati premtuar se do të ishte gati më 1 qershor 2021. Më pas afati u shty për në nëntor, por viti u mbyll dhe ende projekti nuk ka përfunduar.
- Rindërtimi – Në një intervistë për “DurrësLajm” në muajin nëntor, kryebashkiakja Emiriana Sako premtoi se 4 pallatet e para (2 në Durrës dhe 2 në Manzë) do të dorëzoheshin brenda vitit 2021. Jemi në janar, por asnjë familje nuk është futur në apartamentet e reja.
- Siti i Spitallës – Punimet në të janë ende në fazën e infrastrukturës, ndërsa asnjë nga pallatet që pritet të rindërtohen për të pastrehët e tërmetit nuk ka nisur.
- Veliera – Këtë vit mbushen plot 5 vite nga nisja e projektit, por “kryevepra” arkitekturore ka mbetur ende një grumbull betoni dhe hekuri
- Pallatet që pritet të rindërtohen – Vetëm 7 nga mbi 50 pallate të shembura në Durrës kanë nisur të rindërtohen. Shumë pak, kur kanë kaluar 2 vite nga tërmeti shkatërrimtar.
- Markata e qytetit – Në nisje të punimeve në muajin korrik u deklarua se tregu i fruta perimeve do të ishte gati brenda 3 muajsh. Në janar 2022, tregu ende nuk është gati për 270 tregtarët që punojnë aty.
- Shtrimi i rrugëve – Shtrimi i disa rrugëve në zonën e plazhit u shoqërua me protesta të banorëve, që kërkonin hapjen e kanalizimeve para hedhjes së shtresës së asfaltit. Shirat që do të sjellin janari dhe shkurti i këtij viti mund të jenë testet e para të provës teknike të këtyre investimeve.
- Shkollat që presin të rindërtohen – Janari 2022 i gjeti disa nga gjimnazet më të rëndësishme të Durrësit ende të pashembura!!! Rindërtimi i tyre mbetet një tjetër sfidë e qeverisë dhe bashkisë.
- Përmbytja e qytetit – Fatkeqësisht është një fenomen që vazhdon e përsëritet sa herë ka reshje të dendura. Premtimet e përvitshme për investime që do t’i gjejnë zgjidhje këtij problemi mbeten vetëm premtime.
- Pallatet DS4 – Gjurmët e tërmetit të 26 nëntorit 2019 duken ende frikshëm në këto godina. Nga rreth 120 godina DS4, riforcimet kanë nisur në më shumë se 10 prej tyre. Për të mos përmendur këtu mbi 200 pallate DS1-DS3 që presin ende të riparohen.
Në urimin e tij të fundvitit, kryeministri Edi Rama, njëkohësisht deputet i qarkut, foli për “një dekade të re për Durrësin, nën dritat e një zhvillimi të fuqishëm, transformimi të thellë, të ardhmeje plot dritë shprese”.
Ndërsa kryebashkiakja Emiriana Sako, në urimin e saj në rrjete sociale shkruante “vizioni ynë është i qartë: Durrësi, një qytet turistik europian”.
Durrësi që të gjithë ëndërrojmë mbetet ende në premtimet e pushtetarëve, Durrësi që të gjithë jetojmë është i pranishëm në përditshmërinë tonë.
M.B.





