Në mbledhjen e kësaj të marte, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka miratuar vendimin për shpërndarjen e fondeve publike për partitë politike në vend, përgjatë vitit 2021.

Partia Socialiste do të përfitojë në këtë vit zgjedhor fondin prej 63.4 milionë lekë, e ndjekur nga Partia Demokratike me fondin prej 38.9 milionë lekë, LSI 20 milionë lekë.

NJOFTIMI I PLOTË

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zhvilloi seancë publike në mbështetje të paragrafit 2 nenit 19, dhe shkonjës “n”, paragrafi 1, të nenit 19, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, për shqyrtimin dhe miratimin e akteve në kompetencë të tij.
Komisioneri shqyrtoi dhe miratoi projektvendimet/udhëzimet:

1. Projektudhëzimin “Për proçedurat e akreditimit dhe rregullat e vëzhgimit të zgjedhjeve nga organizatat joqeveritare shqiptare dhe të huaja, organizatat ndërkombëtare, përfaqësues të shteteve të huaja dhe mediave dhe subjektet zgjedhore”.

2. Projektudhëzimin “Për caktimin e kritereve për përzgjedhjen e monitoruesve, procedurën, emërimin dhe objektin e monitorimit”. Udhëzimi përcakton kriteret e përzgjedhjes, procedurën dhe emërimin e monitoruesve, objektin e monitorimit, periudhën e monitorimit, përcaktimin e subjektit/subjekteve të monitorimit dhe zonën gjeografike ku shtrihet monitorimi prej monitoruesve si dhe raportimin e monitorimit në mënyrë të pavarur, të paanshme, jo diskriminuese dhe transparente. Ky akt përbën risi për garantimit e një procesi zgjedhor të drejtë, i cili synon ndarjen e qartë ndërmjet ushtrimit të detyrave të institucioneve shtetërore qendrore e vendore, dhe partive politike, si në fushatë zgjedhore po ashtu dhe në periudhën 4 muaj para datës së zgjedhjeve

3. Projektvendim “Për shperndarjen e fondeve vjetore partive politike në formën e ndihmës financiare vjetore për vitin 2021”. Komisioneri vendosi të shpërndajë fondin prej 140 milion lekë, partive politike për vitin 2021. (Tabela bashkëngjitur)

4. Projektvendim “Për rregjistrimin e nismës ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë për krijimin e rregjistrit kombëtar të autorëve të krimeve seksuale”.

KSHZ vendosi regjistrimin e nismës ligjvënëse “Për krijimin e Regjistrit Kombëtar të Autorëve të Krimeve Seksuale” propozuar nga Qendra “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza”, Shoqata “Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri” dhe Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim”.

5. Projektvendim “Për emërimin e kryetarëve dhe zëvendëskryetarëve te KZAZ-ve”.