Bashkia e Durrësit iu nënshtrua rikonstruksionit në mesin e muajit dhjetor 2021, ndërsa punimet pritet të zgjasin rreth 2 muaj.
Rikonstruksioni i godinës kap vlerën mbi 22 milionë lekë të reja. Ndërkohë, në buxhetin e këtij viti janë parashikuar 20 milionë lekë të reja për pajisje zyre për bashkinë. Në total, rikonstruksioni dhe mobilimi i institucionit pritet të kapë vlerën rreth 40 milionë lekë të reja.
Përveç rikonstruksionit të bashkisë, një fond i veçantë është parashikuar në buxhet për rikonstruksionin e godinave të Njësive Administrative Ishëm, Manzë dhe Katund i Ri, të dëmtuara nga tërmeti i dy viteve më parë.
Për hartimin e projektit është parashikuar shuma 5 milionë lekë, ndërsa rikonstruksioni pritet të kushtojë 15 milionë lekë të reja.
Investimi në vlerën më të lartë për ndërtimin e godinave të institucioneve në varësi të bashkisë do të jetë ai për ndërtimin e zyrave të Ndërmarrjes Rruga.
Ky investim do të kapë vlerën 50 milionë lekë dhe do të realizohet përgjatë këtij viti.





