Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar nga Fieri kreun e PD-së Lulzim Basha duke deklaruar se në historinë e 30 viteve asnjë njeri nuk ka shfaqur standardet e ulëta morale politike të këtij njeriu, asnjë njeri.

Berisha akuzoi Bashën se ka marrë peng partinë vetëm për hir të interesave të ngushta personale.

Ai tha se ka ardhur koha që demokratët të marrin në dorë fatin e partisë dhe të të gjithë vendit.

Berisha nga Fieri:

31 vite më parë u themelua partia e parë opozitare, nuk ka qenë e lehtë për ne.

Kohët e fillimit nuk kanë qenë të lehta, terrori i kuq na shoqëronte nga një komunë në një komunë tjetër, por ne qëndronim në të drejtën tonë, të vendosur në rrugë, dhe me mjete paqësore, që të çonim në fund parimet tona. Ka pasur raste që janë përpjekur të na bllokonin rrugët dhe ne anë të vetme kishim tolerancën. U përpoqëm me vendosmëri që të fitonim zemrat e njerëzve.

Dega e PD-së në Fier ishte dhe mbetet një nga degët më kryesore, të një rëndësie të jashtëzakonshme për PD-në dhe fatet e saj, unë mund tiu them ju që në rast se degët e tjera, do kishte funksionuar siç keni funksionuar ju, do kishte dëshmuar standardet tuaja morale, PD do të ishte prej kohësh në pushtet.

Miqtë e mi, ne vijmë në këtë 31 vjetor, pas 8 vitesh ku udhëheqja e kësaj force politike në Tiranë dëshmoi dobësi ekstreme.

Ai që ne zgjodhëm në krye nuk u bë kurrë një lider i besueshëm, jo se ne nuk punuam për këtë, e thotë populli ‘fara e keqe e tillë mbetet’. Dje më pyeste një mik, si ka mundësi ky njeri, asnjë mundësi tjetër nuk ka veçse ishte një farë e keqe që ne nuk e kuptuam.

Ky njeri për karrigen e tij është i aftë që të bëjë gjithçka, ju thotë shqiptarëve pas 8 viteve në opozitë, më ndiqni se jam e ardhmja, ndërkohë që është humbja dhe vetëm humbja.